
Krizat politike në Kosovë gjatë këtyre viteve të fundit kanë ndodhur për shkak të egos së tepruar të disa politikanëve të cilët interesat e tyre personale i kanë vendosur para atyre shtetërore. Aktualisht, Kosova është në krizë politike për shkak të postit të presidentit të shtetit, kjo për arsye se Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani është ajo që duhet ta ushtrojë rolin e presidentes së shtetit deri në zgjedhjen e një presidenti të ri. Partitë politike tanimë kanë filluar të publikojnë emrat e kandidatëve të tyre për postin e kreut të shtetit dhe përplasjet e tyre për këtë post janë duke u rritur deri në atë nivel saqë koalicioni qeverisës po rrezikon të prishet. E keqja e kësaj është se qytetarët janë ata të cilët po dëmtohen më së shumti, sepse vendi po përballet me shumë procese të rëndësishme dhe mos-koordinimi i partive politike po i vështirëson edhe më shumë gjërat.