Thursday, June 4, 2026
spot_imgspot_img

Më të klikuara

spot_img

Nxënësit e Ladorishtit fillojnë mësimin në shkollën e rinovuar

Sot, në kuadër të fillimit të vitit shkollor, u zhvillua një aktivitet i veçantë në shkollën e Ladorishtit “Ashim Agushi”, ku u theksua rëndësia e renovimit të shkollave dhe përkushtimi ndaj nxënësve. Në këtë takim morën fjalën mësues dhe drejtues, të cilët ndanë mendimet e tyre mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit.

“Kjo shkollë kishte me të vërtetë nevojë për renovim dhe falë zotit Maksut Çollaku, i cili mori përsipër punimet, e gjithë shkolla u rikonstruktua. Tani fëmijët janë të lumtur dhe nuk do të kenë më probleme me mykun në klasa e korridore.”, – theksoi mësuesja, Lutfie Mustafai.

Ky investim i ka dhënë shkollës një pamje të re dhe ka përmirësuar ndjeshëm kushtet e të nxënit.

“Sot, si çdo vit, është dita e fillores, një ditë kur takohemi me bashkatdhetarët tanë në Zvicër. Këtë herë, ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se z. Çollaku mori përsipër të gjithë rikonstruksionin e shkollës.”, – u shpreh drejtori, Shefi Cenka. 

Kurse nxënësit shprehnin gëzimin nëpërmjet emocioneve të tyre.

“Shkolla është e bukur, shumë mirë. Faleminderit që e rregulluan shkollën.”, – tha një nxënës.

Krahas përmirësimeve infrastrukturore, drejtuesit u ndalën edhe te gjendja e përgjithshme e arsimit në fshatrat tona.

“Për fat të keq, këtë vit numri i nxënësve nuk është as në rritje e as në rënie – mbetet mesatar. Shkollat e Frëngovës dhe të Zagraçanit kanë gjithsej rreth 400 nxënës, ndërsa Ladorishti vetëm 100. Në klasë të parë, në të tria shkollat së bashku janë vetëm 40 nxënës.”, – theksoi drejtori i shkollës së Ladorishtit, Shefi Cenka.

Këto shifra tregojnë sfidat me të cilat përballet arsimi, por edhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga komuniteti.

FITORE ISTREFI/MRTV2

spot_img