Sot kujtojmë me respekt e dhimbje figurën e Kolonel Ahmet Krasniqit, ministër i parë i Mbrojtjes së Kosovës, i cili u vra në rrethana ende të pazbuluara në Tiranë gjatë luftës së Kosovës.
Lindi më 15 janar 1948 në fshatin Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë në Kosovë dhe u vra në tradhëti më 21 shtator 1998 në Tiranë, Shqipëri. Gjatë Luftërave të Jugosllavisë, ai luftoi në Luftën Kroate të Pavarësisë dhe në Luftën e Kosovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai u shpall Hero i Kosovës. Njihet si “Ministri i Luftës” për nder të veprës së tij patriotike.
Ahmet Krasniqi ishte një profesionist i shkolluar, ushtarak me përvojë, njeri i përkushtuar ndaj atdheut dhe një patriot i rrallë që dha gjithçka për lirinë e popullit shqiptar. Fatkeqësisht, vrasja e tij, për të cilën dyshohet se ndodhi për shkaqe të ulëta egoje e bajraktarizmi, kurrë nuk u zbardh dhe mbetet një plagë e hapur në historinë tonë kombëtare.Sot, në përvjetorin e rënies së tij, përulemi me nderim para kujtimit të një figure që mbetet shembull i sakrificës, profesionalizmit dhe dashurisë për atdheun.





