Fushata zgjedhore sapo ka nisur. Për tre javë me radhë do të jemi dëshmitarë të një vale premtimesh, retorikash të ashpra, akuzash e kundërakuzash, që do të pushtojnë rrugët, ekranet dhe mendjet tona, shkruan Drini.mk
E megjithatë, duhet të kemi kujdes: ajo që rrezikohet nuk është vetëm e ardhmja politike e një partie a e një kandidati, por më e shtrenjta që kemi: familja, miqtë, fqinjësia, shoqëria jonë e përditshme.
Historia politike shqiptare na ka treguar një të vërtetë të hidhur: politika nuk njeh as moral as parim. Sot kundërshtarë, nesër aleatë.
Aleancat e djeshme shkatërrohen, armiqësitë e djeshme shndërrohen në miqësi të reja. Por ajo që mbetet e pandryshuar janë plagët mes njerëzve të thjeshtë ndarjet mes vëllezërve, armiqësitë mes bashkëfshatarëve, ftohtësitë mes shokëve që dje ishin si një trup i vetëm.
Zgjedhjet janë si një stuhi e përkohshme. Ato mbërrijnë me zhurmë e dritë, por sapo qetësohen, gjurmët e dëmit mbeten. Premtimet tretën, zërat politikë heshtin, kryetarët bëhen të paarritshëm herë në “takim zyrtar” herë në “udhëtim pune”, herë pa “kompetenca”.
Qytetari i thjeshtë mbetet sërish përballë të njëjtave halle: papunësia, ndotja, mungesa e perspektivës për të rinjtë.
A nuk është ironike që pas 35 vjetësh tranzicion, ne ende diskutojmë të njëjtat probleme? Ndërsa pushteti ndërrohet, realiteti mbetet i njëjtë. Mund të largohen nga puna 20 veta me kontratë, të punësohen përkohësisht 20 të tjerë, dhe cikli të përsëritet pas katër vitesh.
Ndryshimi i vërtetë mbetet një iluzion i shtrenjtë, ndërsa kostoja paguhet nga shoqëria jonë e përçarë.
Filozofia e zgjedhjeve është kjo: ato nuk janë fundi i botës, por vetëm një episod i përkohshëm në një histori shumë më të gjatë që quhet jeta jonë e përbashkët. Dhe jeta jonë ka themele më të forta se çdo parti politike: dashurinë familjare, lidhjen e gjakut, shoqërinë e vjetër, fqinjësinë që na mban afër. Këto janë të shenjta, të patjetërsueshme. Kush i humb këto, ka humbur më shumë se çdo pushtet politik.Prandaj, ndërsa flamujt politikë valëviten e thirrjet bëhen më të forta, le ta mbajmë mend këtë: zgjedhjet kalojnë, harmonia mbetet.
Pas tre javësh, euforia do të shuhet, posterët do të zverdhen nëpër mure, fjalët do të harrohen. Por në sofrën e përbashkët të familjes, në odën e miqësisë, në lagjen ku rriten fëmijët tanë aty duhet të ruajmë unitetin dhe dashurinë.
Mos e lini politikën t’ju vjedhë gjënë më të shtrenjtë: qenien së bashku/Drini.mk
SHKRIM NGA REDAKSIA DRINI.MK





