Në prag të zgjedhjeve lokale, Struga është shndërruar në një nga arenat kryesore të përballjes mes partive. Nga radhët e pushtetit, VLEN akuzon se ekziston një “koalicion i heshtur” mes BDI-së dhe partisë Levica për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve në Strugë.
Sipas tyre, kandidatura e Jovana Mojsovskës është një plan i orkestruar për të grumbulluar votat e bllokut maqedonas dhe për të penguar fitoren e kandidatit të mbështetur Mendi Qyra, që në raundin e parë.
VLEN: “Ky është një plan i turpshëm, i dirigjuar nga BDI dhe Lloga, në bashkëpunim me forca politike që karrierën e tyre e kanë ndërtuar mbi albanofobinë.”
Kryeministri Mickoski: Kandidaturën e Mojsovskës e quajti “gomë shpëtimi” për BDI-në dhe i sugjeroi Levicës që kandidatët e tyre t’i propozojnë në qytete si Shtip e Veles, ku kanë më shumë gjasa reale.
LEVICA: “Kryeministri po thotë se një kandidat maqedonas nuk mund të fitojë në Tetovë, Gostivar dhe Strugë. Maqedonia nuk është treg etnik apo partiak për shkëmbim komunash dhe funksionesh.”
BDI i cilësoi këto akuza si “skenarë imagjinarë”.
Struga tashmë po shëndrrohet në një zonë kyçe zgjedhore.
Përveç partive kryesore, janë paralajmëruar edhe kandidatura të pavarura, duke e bërë Strugën një nga komunat më të nxehta dhe më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve.
Burimi: 24.mk





