Sot në Strugë u protestua për problemin më serioz të qytetit, deponinë, një plagë e hapur që çdo ditë dëmton dhe rrezikon jetën e qytetarëve.
Fatkeqësisht, pjesëmarrja ishte minimale, megjithatë simbolika mbetet e fortë dhe domethënëse.
Është e trishtueshme të shohësh se shtabet partiake apo takimet me përfaqësues politik mbushen plot, ndërsa protesta për ajrin, shëndetin dhe jetën e qytetarit u la pothuajse në harresë.
Ky reagim i vakët qytetar mund të lexohet si naivitet, injorim, frikë apo neglizhencë, por pasojat e tij janë dramatike.
Ajri i ndotur nuk kursen askënd, dhe kur njeriut i merret fryma, reagimi duhet të jetë instinktiv, i fortë dhe vetëmbrojtës. Sot, fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi në Strugë.
Shpresojmë që ky hap i parë, edhe pse i brishtë, të jetë vetëm fillimi i një lëvizjeje më të gjerë e më të fuqishme, deri në largimin përfundimtar të kësaj plage të zezë që çdo ditë po vret qytetarët e Strugës, shkruan Drini.mk





